Free Essay

Kodet Zakonore Në Kinematografinë Shqiptare

In:

Submitted By opjeshke
Words 3106
Pages 13
Kodet Zakonore në Kinematografinë Shqiptare
Anxhela ÇIKOPANO

Kinematografia shqiptare duket se e ka fort për zemër të merret me kodet zakonore, qofshin të veriut a të jugut. Sikur të analizonim gjithë filmat shqiptarë që trajtojnë kodikët zakonorë, atëherë duhet të shtroheshim këmbëkryq në një natë të gjatë dimri para oxhakut, aq e gjatë është kjo listë. Në kohën e diktaturës gjejmë shumë filma që e kanë trajtuar si temë ose që kanë motive e gjurmë të këtyre kodeve zakonore, edhe pse shpesh herë është përdorur në favor të drejtpërdrejtë të dogmës komuniste, por edhe si një fenomen i përçmuar për të përftuar njeriun e ri. Mjafton të përmendim një seri titujsh si: “Toka Jonë”, Hysen Hakani, 1964; “Komisari i Dritës”, Dhimitër Anagnosti, 1966; “Plagë të vjetra”, Dhimitër Anagnosti, 1968; “Përse bie kjo daulle”, Pirro Milkani, 1969, “Operacioni Zjarri”, Muharrem Fejzo, 1973; ekranizimi televiziv “Cuca e maleve”, Dhimitër Anagnosti, 1974; “Shembja e idhujve”, Pirro Milkani, 1977; “Nusja”, Gëzim Erebara, 1980; “Fundi i një gjakmarrjeje”, Rikard Ljarja, 1983; “Bregu i ashpër”, Drita Koçi, 1988, etj. Mbase në këtë listë disa do të gjejnë mungesa të rëndësishme, tituj filmash që lidhen më fort se cilido tjetër me kodet zakonore, si “Besa e Kuqe”, “Njeriu me top”, “Të paftuarit” dhe prodhimi më i fundit me titullin “Gjallë!”. Por kjo jo pa qëllim. Këta filma nuk mund t’i kaloja thjesht me një përmendje titulli, pasi ata kanë si gur themeli kodin zakonor e sot janë objekti kryesor i këtij studimi.

“Besa e kuqe” që u xhirua në vitin 1982, ka si skenaristë Dhimitër Anagnostin e Vath Koreshin, e regji të Pirro Milkanit. Ajo ngrihet mbi motivin historik të vrasjes së pesë Heronjve të Vigut. Mbi të njëjtat motive kishte xhiruar edhe Mark Topallaj filmin “Çeta e vogël” në vitin 1979, një film ky i censuruar (kryesisht për shkak të cilësisë së dobët dhe mungesës së koherencës). Duke qenë një film me motive historike, dy janë përbërësit kryesorë të sfondit të tij: zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore, gjatë kohës së pushtimit gjerman dhe bashkekzistenca e ligjshmërisë së Kanunit të Lekë Dukagjinit me juridiksionin shtetëror, si rregullatorë të përbashkët. Mirëpo tek “Çeta e vogël” të vetmet motive që gjenden nga Kanuni janë ai i fejesës në djep dhe mospranimi i pesë djemve për të hedhur armët sipas zakonit kanunor, madje një mori veprimesh të tjera përbëjnë shkelje të rënda të kodit zakonor, që në ato kohë ishte edhe më i pushtetshëm se ligjet e shtetit në veriun e Shqipërisë. Krejt e kundërta ndodh me “Besën e Kuqe”. Ky film ngrihet tërësisht mbi kodet zakonore, të cilat përcaktojnë vetë veprimin dramaturgjik dhe karakteret e personazheve, nga fillimi e gjer në pikën kulmore, ku ritualet kanunore e filli i besëdhënieve të njëpasnjëshme shndërrohen në vetë gjuhën vepruese mes karaktereve, duke mbërritur në ekstremitete të përdorimit të Kanunit. Heronjve u zihet prita në rrugë të madhe jashtë fshatit, sepse Bajraktari druhet se vrasja e djemve brenda tij do ta fusë atë e Pjetër Ukakeqin në gjak me Ujëbardhën, meqenëse djemtë janë miq në këtë fshat. Por djemtë kërkojnë që Ndoc Marku nga Lisi ku kalon edhe rruga ku u është ngritur prita, t’i marrë nën besë e ai pranon, duke u thënë Bajraktarit e Ukakeqit që po i prekën me dorë djemtë, do t’i detyrohen gjak edhe Lisit. Duke qenë se Ndoc Marku nuk ka pushtet ndaj Bajraktarit e Ndoc Ukakeqit, Gjon Kolën, në konakun e të cilit kanë bujtur për herë të fundit, shaminë e familjes të së cilit mbajnë edhe në grykë të pushkës. Në këto kushte Ndoc Marku i kërkon Ndue Prengës, gjakësit të Gjon Kolës, besë për këtë të fundit e ky ia jep. Mirëpo kur Gjon Kola vjen të shpëtojë trimat, Pjetër Ukakeqi tani kinse në emër të ligjit, e lidh pas pemës duke shkelur rëndë Kanunin me prerje në besë e duke fyer kështu edhe shumë prej burrave që janë palë me të. Zakonte kanunore shkojnë edhe më tej: heronjtë janë të paprekshëm për sa kohë me ta qëndron Mrika, pasi sipas zakonit nuk qëllohet mbi burra, qofshin edhe në gjak, nëse me ta shkon një femër. Vetë Mrika i shton edhe emrin e Gomsiqes, fshatit të babës së saj, listës së Ujëbardhës e Lisit, me të cilët hynin në gjak Bajraktari e Pjetër Ukakeqi, nëse djemtë prekeshin. E pra, kjo përqasje kaq e fortë zakonore, ngulur gjer thellë në damar të ritualit të ritualit të kodeve zakonore, nuk është pa qëllim. “Nderi”, “burrëria”, “besa” e “miku” kanë një rezonancë të fortë në ndërgjegjen kolektive shqiptare dhe pa pasur nevojë të ndahen bardhë e zi, pala e mirë dhe e keqe, është vetë zëri i brendshëm që e bën këtë ndarje në bazë të njohurisë së trashëguar mbi respektimin dhe shkeljen e këtyre normave, se cilës palë i takon respekti e kush po bën turp e padrejtësi.

Edhe “Njeriu me top”, një film i vitit 1977 me skenar e regji të Viktor Gjikës, bazuar mbi motivet e romanit me të njëjtin titull të Dritëro Agollit, ka një sërë shkeljesh të normave kanunore, por në vend që të përftojë të njëjtin efekt me atë të “Çetës së vogël” së Topallajt, arrin atë të “Besës së Kuqe”. Kjo vjen sepse shkelja e tyre është bërë me qëllim artistik dhe ekzagjerimi është tejet i madh. Pavarësisht se autori italian Franko Benanti në librin “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” (Benanti, 2012) pretendon se karakteri i Mato Grudës është ndërtuar mbi një personazh të vërtetë, i cili nëpërmjet ndihmës së një artiljeri italian shfarosi me top një fshat në Ersekë, ndaj të cilit kishte hasmëri, si autori Dritëro Agolli, ashtu edhe skenaristi e regjisori Viktor Gjika, i ngrenë ngjarjet në një fshat të trilluar që quhet Arun. Megjithatë duket dukshëm që vendi i ngjarjeve është një fshat mysliman në jug të Shqipërisë, zona ku vepronte gjerësisht Kanuni i Labërisë. Siç thashë edhe më parë, shkeljet e njëpasnjëshme të këtij Kanuni, në këtë rast janë të qëllimshme, për të rritur dramacitetin e veprës artistike; ato shndërrohen në një burim që çon ujë në mullirin e të zot’. Siç thotë edhe tek “Njeriu dhe dukuria atipike në veprën e Dritëro Agollit” Prof. Dr. Sinani (2006) mjedisi bëhet atipik për mënyrën si është ndërtuar familja e madhe e Fizëve, në të cilën “babai i madh” ngjan më shumë me një kryegjysh bektashian se me një patriark kanuni. Para se të hyjmë në ato që lidhen me thelbin e këtyre shkeljeve kanunore, po sjell në vëmendje dy veprime me shkelje të rëndë të Adnan Pinxhos, i cili vret të vëllain e Ali Marukës pasi vetë ia ka lëvizur gurin e sinorit, veprim që dënohet me vrasje dhe përzënie nga fshati; pastaj përpiqet të kapë me zor motrën e Fahredinit, që gjithashtu është një veprim që dënohet me vrasje ose me detyrimin për t’u martuar me vajzën (që zor se do të ishte zgjedhja e preferuar e Fizëve), por Pinxho duket se del gjithmonë duarlarë e sypatrembur ndaj çfarëdo shkeljeje. Kjo na bën të mendojmë se ka një bjerrje të ligjshmërisë së vendosur nga Këshilli i Pleqve, njëanshmëri të drejtësisë së tyre dhe mosbesim të ushtrimit të së drejtës, situatë që përmendet shpesh si fakt i njohur në “Kanunin e Labërisë” të kodifikuar nga Prof. Dr. Ismet Elezi (2006). Ca më shumë ky korruptim ligjor vërtetohet në atë që është zanafilla e më pas vijueshmëria e gjakmarrjes mes Fizëve e Grudave. I pari që e shkel rregullin është i ati i Matos: sipas Kanunit të Labërisë dëmtimi i arës nga bagëtia zhdëmtohet nga i zoti i bagëtisë në masën e caktuar në natyrë ose me para. Çështja i paraqitet Këshillit të Pleqve dhe këta marrin masat e nevojshme. Por Zigur Gruda nuk i kryes këto hapa, ai kryen që është rreptësishtë e ndaluar. Ai rreh çobanin, kur vetë rrahja konsiderohej se prekte rëndë nderin. Pse veproi në kokë të vet Zigur Gruda, kur rregullat thoshin ndryshe? Mos kishte frikë se nuk do ta gjente të drejtën e tij? Ndërkaq, hakmarrja e Fizëve shkon edhe më tej mbi po këto parime vetëgjyqësie, ata jo vetëm e rrahin Zigur Grudën, po i vrasin edhe të vëllain, Sulon. Atëherë Ziguri bën një shkelje të padëgjuar, vret një prej Fizëve brenda në shtëpi të tyre, gjë që sjell edhe djegien e shtëpisë e mbarë fisit të Grudave nga ana e Fizëve. Këtu punët marrin rrokullinë, vetëgjyqësia ka marrë përmasa të pakontrollueshme, duke shkelur me të dyja këmbët çdo normë të njohur kanunore. A është kjo një injorancë e autorit ndaj normave? Jo, kjo është pikërisht ajo që i përligj Matos hakmarrjen ndaj gjithë familjes së Fizëve me një të shtënë topi; kjo është ajo që na bën ne t’ia njohim Matos të drejtën e kësaj vrasjeje masive, pa e gjykuar si një njeri me mendje të mbrapshtë që kërkon të marrë më shumë gjak nga ç’ka humbur. Vetë Mato, ashtu siç ia kërkon Kanuni, i del krah vajzës së Fizëve, kur kjo ndalet me forcë në rrugë nga Pinxho Kapella, duke treguar se është një njeri i drejtë që e do ligjin e drejtësinë, por që nuk beson në zbatuesit e tij dhe se peshën e nderit e ka fort të rëndë mbi shpatulla. Këtu, ne marrim anë mes “të mirëve” e “të liqve”, siç bëjmë me zgjedhje të lirë tek “Besa e Kuqe”. Por nuk duhet të harrojmë se pikërisht për këtë “krahmarrje”, autorët kanë përdorur edhe një “hile” të vogël: pesha e gjakut që duhet marrë rëndon nga ana e Matos. Në mënyrë instiktive, po ashtu siç njohim konceptet bazë që lidhen me Kanunin, ne gjithmonë bëhemi palë me atë që ka për të marrë gjak, duke e harrur edhe kush e nisi meselenë dhe Mato Gruda është vërtetimi më i përligjur i kësaj fuqie të brendshme që na çon drejt të dëmtuarit më të fundit. Por ashtu siç e kërkon Kanuni, gjaku harrohet aty ku fillon lufta në mbrojtje të lirisë së atdheut dhe kështu bën edhe Mato Gruda e nipat e plakut Mere.

Me po të njëjtin mekanizëm “mbyllen” edhe gjaqet shekullore tek të “Të paftuarit”, një prodhim i vitit 1985, me regji të Kujtim Çashkut e me skenar të Ismail Kadaresë, bazuar në romanin “Prilli i thyer” të këtij të fundit, na rrëfen për një Kanun të paprekshëm që përcjell qeveri e vetë s’tundet. Personazhi kryesor i filmit, shkrimtari Besian Vorpsi, i cili pasi martohet me Dianën, vendos ta kalojë muajin e mjaltit në malësi, kinse për të kundruar nga afër gjithçka që lidhet me Kanunin e shumëadhuruar prej tij, por e vërteta është se pas këtij vendimi qëndron një mesazh i fshehtë nga ana Mbretit Zog drejtuar Princit të Rrafshit. Mesazhi lidhet pikërisht me ruajtjen dhe përçimin e ligjshmërisë së Kanunit krahas legjislacionit shtetëror, si mjet kontrolli për zonat veriore, ku burrat zor se zotëroheshin nga shteti. Gjin Marku, kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, në një intervistë për Erald Kaprin, publikuar në blogun “Peshku pa ujë”, përmend kohën e Mbretit Zog. Sipas tij Mbreti Zog u takua me të gjithë bajraktarët dhe së bashku vendosën që ligji shtetëror do të ruante harmoni me Kanunin (Kapri, 2008). E njëjta gjë duket se konfirmohet edhe nga autori amerikan, Ian Whitaker në studimin “Struktura fisnore dhe politikat kombëtare në Shqipëri 1910-1950” (2004), i cili e ka quajtur gjakmarrjen “një mekanizëm publik të kontrollit shoqëror”. Personazhi ynë kryesor ndërtohet pikërisht në një kontekst politik favorizues të Kanunit. Shoqëruar edhe me ndjesinë që kanë edhe sot e kësaj për vlerat monumentale Kanunit shumë studiues të huaj, mes të cilëve ai më me nam, japonezi Kazuhiko Jamamoton me “Strukturën etike të Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore” (2005), Besian Vorpsi gjendet në mes të gjakmarrësve e gjakdhënësve, prijësve lokalë me drejtësi të përçudnuar, një varfërie të skajshme që bashkë me pushkën mbillte gjithmonë e më shumë vdekje, duke humbur çast pas çasti magjepsjen e tij ndaj këtij kodi zakonor që në zbatim ishte veçse diçka mizore. Natyrisht që në rrethanat kur i sapomartuari ynë vizitoi Rrafshin punët ishin ngatërruar keq, me qeveri e me dreq, me të internuar e komunistë që ofronin rrugë shpëtimi nga gjakmarrjet shekullore, me rrekje të prijësve e kasnecëve të tyre për ta mbajtur sistemin në këmbë me çdo kusht, por prapë pavarësisht se i padëshiruar Kanuni vazhdon të mos shkelet. Pra, edhe në këtë film kemi një përçudnim të rendit kushtetues si tek ai i Mato Grudës, por ashtu siç thekson Prof. Dr Ismet Elezi tek “Kanuni i Labërisë” ky njeh si organe të vetëqeverisjes vendore kuvendet e pleqve, të parisë së vendit, të kapedanëve, të vegjëlisë dhe të gjyqit të pleqve, organizma këto me pjesëmarrje të zëvendësueshme, në ndryshim me Kanunin e Lekës apo të Skënderbeut ku njihen pozita dhe privilegjet e Derës së Gjonmarkajve apo instituti i bajraktarëve e i krerëve të fiseve, që gëzonin pushtet më të madh se të tjerët. Pra, “Të paftuarit” duket si një prezantim besnik deri në detaj i zakoneve kanunore, në një përpjekje për t’i ujdisur këto në një fill dramaturgjik me përqasje të fortë psikologjike dhe politike ndaj fenomenit, madje kaq i fortë është rituali i tij tek “Të paftuarit” sa çdo ndodhi tjetër në film ngjan me një përpjekje për ta thurur këtë ritual në një fill të stisur dramaturgjik me shndërrime të forta psikologjike të personazheve, që nga besëmarri Gjorg Berisha, tek qehajai i gjakut që po i shket Kanuni nga duart, te vetë Princi, te një mori karakteresh dytësore, po ca më shumë te dy personazhet kryesore. E kjo mori transformimesh psikologjike në këtë kontekst kaq të ngjeshur mozaiku zakonor duket krejt e papërligjur. Përqasje psikologjike ndaj Kanunit ka edhe Artan Minarolli me filmin e tij “Gjallë!” të vitit 2009, por transformimi psikologjik i personazhit është një linjë kryesore që përshkon mbarë filmin, me një sërë personazhesh të tjerë periferikë. Këtu ngjarjet e filmit nuk ngjasojnë fare me asnjë nga shembujt e mësipërm, pasi ato zhvillohen në ditët e sotme, me një Kanun të transformuar. Me vdekjen e t’et barra e dhënies së gjakut i bie për hise Kolit, për shkak se gjakësit nuk kanë mundur që gjakun e vjetër ta marrin mbi babën e tij ulok. Mirëpo Koli prej vitesh jeton në Tiranë e tani është student. Krejt befas ai e gjen veten në mes mëdyshjes për t’u ndryrë në kullë nga frika se mos e vrasin, për t’u fshehur në mes të askundit e për të mos ekzistuar më, për t’u kthyer në Tiranë e për ta vazhduar jetën ku e la e siç e la (vetëm se tani me makthin e një pistolete në brez), apo të marrë arratinë nëpër botë në një udhëtim që nuk do t'i lërë nam e nishan. Dhe Koli i provon të gjitha këto një pas një, por asnjëra nuk duket të jetë rrugëzgjidhja për të dalë nga ai ngujim që në ditët e sotme nuk është ngujim veç mes katër muresh, por edhe një ngujim i brendshëm në një bote në amulli, kur ritmi i shekullit të XXI rend gjithmonë e më marramendës. Dhe nuk gjen dot zgjidhje, as ai dhe as autori për këtë njeri që “mbytet” në mungesën e mundësive për t’i shpëtuar një ligjshmërie të pavlerë, që duket si një Kod i Hamurabit i zbatuar në një stacion hapësinor.

Vitet e fundit tendenca për t’u marrë me Kanunin në kinematografinë shqiptare është gjithmonë e më e madhe dhe është një fenomen që po haset përherë e më shpesh edhe mes kinematografëve të huaj. Kaq të shumta janë projektet që aplikojnë me temë të Kanunit sa po të flas pa doreza ka filluar të më duket sikur shqiptarët janë kaq ekzotikë e të izoluar në kulturën e tyre sa ia vlen t’i hipësh nëpër karro cirku e t’i shëtisësh nëpër botë. Në një intervistë për “Ligji dhe Jeta” (2003) vetë Kadare kur pyetet për një koment të përditësuar mbi “Prillin e Thyer” dhe interpretimin e sotëm të Kanunit, përgjigjet:

Kjo që po ndodh, s’ka të bëjë me kanunin shqiptar dhe është shumë barbare, kryhet me kallashnikov. Është një gjëmë e zezë, e trishtueshme dhe duhet të mbyllet se është turp për kombin shqiptar, sot. Ngujimi i qindra grave dhe fëmijëve në shtëpi për shkak të gjakmarrjes është një gjë e tmerrshme, e pabesueshme.
Ky është një kod juridik zakonor i vjetër, i lindur në rrethana të caktuara historike. Në mungesë të shtetit është opinioni publik që merr rolin e tij. Kjo është bërë pjesë në historinë e popullit shqiptar. Ky është një kod i perënduar që s’duhet të ekzistojë në kohët moderne. Nga ky kod kanë kaluar shumë popuj. Por Shqipëria është e vonuar. Opinioni ynë duhet të bëjë çmos dhe emancipimi ynë duhet ta përjashtojë këtë kod, se ne kemi institucionet juridiko-shtetërore.

Pra, për një përfundim të përmbledhur shkurt, është thënë ç’është thënë, është bërë ç’është bërë, mbase ka ardhur çasti që kinematografia shqiptare ta lërë pas dore qoftë himnizimin, qoftë përçudnimin e Kanunit, duke i nxjerrë shqiptarët nga formalina kodeve zakonore të lashtësisë (apo edhe realitetit socialist, por kjo e dyta i takon një tjetër kumtese) e duke sjellë me këmbë në tokë atë që na ngjet çdo ditë qark vetes. Mbase këto që ndodhin sot, do të jenë po aq interesante në të ardhmen, sa të krijojnë një trashëgimi të mëtejshme kulturore fiksuar në celuloid.

Bibliografi dhe referenca

* Benanti F., 2012, “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948”, Naimi, Tiranë. * Hamzai Dh., “Historia e panjohur e Shqipërisë, rrëfimi i Franko Benantit”, (24 gusht 2012) http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/historia-e-panjohur-e-shqiperise-rrefimi-i-franko-benantit-114128.html * Prof. Dr. Sinani Sh., 2006, Revista “Perla”, Nr. 4, fq. 54. * Benanti F., 2012, “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948”, Naimi, Tiranë. * Prof. Dr. Elezi I., 2006, “Kanuni i Labërisë”, Toena, Tiranë. * Kapri E., “Kanuni, Shteti, sfidë civilizimit”, (14 korrik 2008) http://arkivi.peshkupauje.com/2008/07/14/kanuni-shteti-sfide-civilizimit/index.html * Whitaker I., 2004, “Tribal Structure and National Politics in Albania, 1910-1950”, në botimin “History and Social Anthropology”, Routledge Library Editions, Londër, fq. 253. * Yamamoto K., 2008, “The ethical structure of Kanun and its cultural implications”, Almera, Tiranë. * Po aty, fq.28. * Komiteti i pajtimit mbarëkombëtar, 2003, Revista “Ligji dhe jeta”, Dhjetor, “Kjo gjakmarrje me kallashnikov është Barbare”, fq. 30.

--------------------------------------------
[ 1 ]. “…entuziazmi i një plaku shqiptar duke parë si artileria magjike e italianit mund të zhdukte një fshat të tërë ballist në hasmëri me të në Ersekë, kërcimet e tij entuziaste fëminore duke përkëdhelur topin, si dëshmon në kujtimet e tij Franko Benanti, botuar po në vitin 1966 në Itali, të kujtojnë Mato Grudën e romanit ‘Njeriu me top’”, -shkruan studiuesi Shaban Sinani në pasthënien e librit.

Similar Documents